Lëvizja FOL i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Protokollin

Posted on September 20, 2009

2


Prishtinë, 15 Shtator 2009

I nderuari z. Hasani,

Duke u bazuar në nenin 112, alineja 1 , mbi përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113 alineja 7 dhe nenit 32 , të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me këtë letër po ju shprehim shqetësimin tonë ndajë nënshkrimit të njëanshëm të Protokollit për Bashkëpunimin Policor nga ana e Misionit Evropian për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit – EULEX me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë. Gjykata Kushtetuese, në bindjen tonë të thellë duhet të ofrojë opinionin e vetë juridik, duke interpretuar Kushtetutën e vendit. Në këtë mënyrë, Gjykata duhet të sqaroj nëse nënshkrimi i njëanshëm i Protokollit në fjalë nga ana e EULEX me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, përbën shkelje të Kushtetutës së vendit, Kjo letër përmbledh disa nga shqetësimet që kanë të bëjnë me kërkesën tonë për ruajtjen e rendit kushtetues në Kosovë. Ne, jemi të vetëdijshëm, që kërkesa për opinion ligjor e Gjykatës Kushtetuese kërkon respektimin e procedurave të përcaktuara me anë të Ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, Shoqëria civile është e gatshme të jap kontributin e saj më të lartë në ruajtjen e rendit institucional dhe kushtetues në vend. Ju lutemi, gjeni të përmbledhur disa nga shqetësimet tona:
1. Gjykata Kushtetuese do të duhej të interpretoj nenin 63 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sepse, sipas këtij neni, Kuvendi i Kosovës është i vetmi autoritet ligjvënës në vend. Nëse Kuvendi i Kosovës është organ i ratifikimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, mos-ratifikimi i një marrëveshje të tillë paraqet shkelje Kushtetuese
2. Në anën tjetër, pasi që kjo marrëveshje është nënshkruar në mënyrë të njëanshme nga EULEX-i dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, anashkalimi i institucioneve Shtetërore të Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, përbën shkelje Kushtetuese edhe gjatë zbatimin e këtij Protokollin në të ardhmen
3. Nënshkrimi i këtij Protokolli, pa përfshirjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës përbën shkelje të nenit 65, alineja 12, ku kompetencë e Kuvendit është mbikëqyrja e politikës së jashtme dhe të sigurisë.
4. Protokolli për Polici i nënshkruar nga ana e EULEX me Policinë e Republikës së Serbisë pa përfshirjen e Qeverisë së Kosovës, përbën shkelje të nenit 93, alineja 1 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili thekson se Qeveria ka kompetencë të propozoj dhe zbatoj politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.
5. Në të gjitha prononcimet publike, Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës kanë shprehur kundërshtimin e tyre për nënshkrimin e Protokollit dhe janë deklaruar se nuk janë palë nënshkruese tij. Ndërkohë që, zbatimi i një Protokolli të këtillë është i pamundur pa përfshirjen e institucioneve të Kosovës.
6. Nënshkrimi i Protokollit nga ana e EULEX-it përbën tejkalim të kompetencave të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës për prezencën ndërkombëtare në Kosovë si dhe shkelje të Nenit 2, alineja 1 të Kushtetutës së vendit.
7. Protokolli për Polici i nënshkruar nga ana e EULEX me Policinë e Republikës së Serbisë pa përfshirjen e Kuvendit të Kosovës, është në kundërshtim me nenin 18 alineja 1 e Kushtetutës së vendit, i cili thotë: Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: (1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake.

Advertisements
Posted in: Lajme