Në ndjekje të pasurisë se zyrtarëve të lartë

Posted on August 7, 2009

2


(Botuar ne gazeten Koha Ditore me 7 Gusht 2009)

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar në parim Ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e pasurisë së Zyrtareve të Lartë Publik. Ky ligj përbën një hap qenësore të Legjislativit të vendit për të vendosur kornizë të mirëfilltë juridike për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Përderisa duhet të vlerësojmë si hap pozitiv vullnetin e Parlamentit që më në fund pas shume vonesave të diskutoj për këtë ligj, miratimi në formën aktuale është shumë shqetësues.

Ashtu siç edhe është pohuar nga disa parlamentar, ligji nuk vendos një rol hetues të pasurisë për Agjencinë Kundër Korrupsionit, por krijon një rol administrativ shumë të dobët për agjencionin. Ligji për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë është i kotë nëse nuk do të ketë transparencë dhe qasje për publikun në këto të dhëna dhe nëse Agjencioni nuk do të hetoj, por vetëm të procedoj dokumente, si një postier.

Ka disa mangësi substanciale në këtë ligj, të cilat nëse nuk adresohen dhe përmirësohen ligji nuk do të arrij efektin e nevojshëm dhe të kërkuar.

Të fillojmë nga parimi fondamental i demokracisë: transparenca. Transparenca e materialeve që kanë të bëjnë me pasurinë e Zyrtareve të Lartë Publik është imperativ për zbatimin dhe suksesin e ligjit.  Megjithëse, në ligj thuhet se secili qytetar ose entitet ka të drejtë që në përputhje me ligjin mbi qasjen në dokumente zyrtare dhe bazuar në kërkesë të paraqitur me shkrim në Agjenci, të ketë qasje në regjistër, më vonë një nen tjetër thotë se të dhënat që mbahen në regjistër mund të përdoren dhe procedohen tutje vetëm për qëllime të hetimit dhe parandalimit të korrupsionit. Pa dyshim, që ky nen do të përdoret nga Agjencia në të ardhmen për të arsyetuar mos publikimin e pasurisë së zyrtareve të lartë publik ashtu siç ka bërë në të kaluarën.

Në një nen tjetër të këtij ligji thuhet se publikimi në media i informacioneve që mbahen në regjistër është i lejuar, vetëm më kusht që të publikohet e tërë deklarata. Në parim, ky kufizim nuk tingëllon keq, mirëpo frikësohemi se ky nen do interpretohet në mënyra më komplikuar të mundshme. Kemi qenë dëshmitar të këtyre interpretimeve të cilat në fund kanë dëmtuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit. Formularët dhe materialet mbi pasurinë e një personi të lartë publik duhet të publikohen në internet dhe në gazetat ditore. Ky do të ishte një gjeste i jashtëzakonshëm (për rrethanat e Kosovës) i dëshmisë për vullnetin e Parlamentit që të luftoj korrupsionin.

Mangësia tjetër e ligjit ka të bëjë me rrethin e zyrtarit të lartë publik ku futën vetëm bashkëshortja dhe fëmijët e Zyrtarit të Lartë Publik. Këtu kemi një rast sikurse në Rusi, ku Kryetari i vendit duhet të deklaroj pasurinë, por jo edhe familja e tij.  Rrethi duhet të zgjerohet duke përfshirë kështu partneri-ja jashtëmartesor apo fëmije i birësuar me të cilin bashkëjeton PZL ose edhe vëllezërit dhe motrat. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Zyrtaret e Lartë Publik, megjithatë kanë një rreth të gjere familjar dhe mos përfshirja e tyre me këtë ligj jep sinjale jo të mira të përfshirjes së këtyre personave në afera korruptive.

Ligji duhet obligoj kryetarët, kryesitë e partive politike si dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike që gjithashtu të deklarojnë pasuritë e tyre.  Hulumtimet e fundit tregojnë se partitë politike dhe ndërmarrje publike shikohen nga publiku si më të korruptuarat. Ligji cakton një afat prej 30 ditësh për PLZ-në të njoftoj agjencinë me ndryshimet e pasurisë së tij/sajë. Kjo është një kohë e mjaftueshme për personin që të manipuloj me të dhënat, pa dyshim që ky afat duhet të reduktohet.

Neni 12.5 i këtij ligji thotë se ”Mënyra, procedura dhe seleksionimi i nivelit të pozitave të zyrtarëve të lartë publik që i nënshtrohen kontrollit të plotë,  do të rregullohet me akt nënligjor i cili hartohet nga Agjencia”. Agjencioni duke iu nënshtruar ndikimit politik mund të përdror këtë nen për të përjashtuar ndonjë zyrtar nga kontrolli.   Është qenësore që ligji mbi të gjitha të përcaktoj qartë se Agjencioni duhet të bëjë hulumtimin e prejardhjes së pasurisë, kontrollin dhe verifikimin e pasurive.

Më në fund përshtypja më interesante pas leximit të ligjit ka të bëjë me masat që ligji përcakton për ata zyrtar që nuk deklarojnë pasurinë. Këto masa janë qesharake, e në veçanti shumë monetare që përcaktohet si dënim. Besoj për shumë nga zyrtaret tanë do të jetë më ekonomike të paguajnë dënimet për mos deklarim, se sa të tregojnë financat e tyre

Duke i parë të gjitha këto mangësi të këtij ligji dhe duke shpresuar në vullnetin e institucioneve të kyçura në procesin e hartimit të pakos legjislative kundër korrupsionit, është e nevojshme që ky ligj të rishikohet dhe të merren me  seriozitet vërejtjet që tani janë dërguar në mënyre zyrtare në Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Aksioni Qytetar FOL’08 dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Advertisements
Posted in: Njoftime