Kuvendi i Kosovës dështoi të mbroj interesin publik

Posted on April 16, 2009

0


konferenca-per-shtyp-kunder-zre-sePrishtinë, 16 prill 2009: Më 15 prill 2009, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi përfundimisht që t’i ngrit tarifat e energjisë elektrike për 2.5%. Aksioni Qytetar FOL’08 së bashku me 5 organizata tjera në nivel Kosove (Syri i Vizionit, Instituti Demokratik i Kosovës, Community Building Mitrovica, Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Iniciativa për Progres) ka kundërshtuar që prej dy muajve një ngritje të tillë. Peticioni, i cili është mënyra më demokratike e përfshirjes së qytetareve në vendimmarrje dhe që ua mundëson atyre të shprehen për një politikë të caktuar u nënshkrua nga 10529 qytetarë. 10529 nënshkrime përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të votuesve. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi diku afër 40 deputet me më pak se 10 mijë vota. Prandaj, në kuptimin demokratik të funksionimit të institucioneve injorimi i këtij peticioni përbënë një shkelje të parimeve të demokracisë qytetare.

Megjithëse, 2.5% është një e arritur në krahasim me 18.3% sa kishte kërkuar fillimisht KEK dhe KOSTT, ZRrE ka pasur të gjitha argumentet e nevojshme që të mos bëjë ngritjen e tarifës së energjisë elektrike. Gjendja e rëndë sociale në vend dhe kriza globale financiare kanë shërbyer si arsye që vendet e rajonit si Shqipëria dhe Serbia të mos bëjnë ngritjen e tarifës, përderisa tek ne kjo gjendje e vështirë sociale dhe ekonomike e qytetarëve është injoruar plotësisht.

Shprehim zhgënjimin tonë të thellë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, i cili megjithëse premtoi se do të kujdesej që Peticioni të trajtohej me seriozitet, kjo nismë e rëndësishme për të vendosur shembull për demokracinë u injoruar nga Kryesia e Parlamentit, e cila edhe pse kishte disa rekomandime të dy komisioneve parlamentare për të proceduar për seancë plenare çështjen e ngritjes së tarifave të energjisë, një gjë të tillë nuk e bëri. Ky është një dështim i Kuvendit të Republikës së Kosovës për të përmbushur mandatin e tij si mbrojtës i interesit publik. Zyra e Rregullatorit për Energji është organ i pavarur, por megjithatë, secili institucion publik i Kosovës duhet të jep llogari qytetarëve. ZRrE ka shkelur rekomandimet e dy komisioneve parlamentare për të mos bërë ngritjen e tarifave të energjisë elektrike duke mos respektuar autoritetin kryesor vendimmarrës në vend.

Për këto arsye Aksioni Qytetar FOL’08 do tu drejtohet dy institucione ndërkombëtare. Ne, do tu dërgojmë letër Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, më anë të së cilës do shprehim shqetësimin tonë për nivelin e ulët të funksionimit demokratik të institucioneve tona.

Advertisements
Posted in: Lajme