Tubim para ZRrE-së për të kundërshtuar ngritjen e tarifës së energjisë elektrike

Posted on April 1, 2009

1


tubimi-para-zrresePrishtinë, 1 Prill 2009 – Aksioni Qytetar FOL ’08, Iniciativa për Progres(INPO), Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e të Njeriut (YIHR), kanë mbajtur sot një tubim simbolik para Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ti rikujtuar këtij institucioni peticionin e nënshkruar nga 10529 qytetar dhe për të kundërshtuar ngritjen e tarifës së energjisë elektrike. Tubimi ka filluar nga ora 10:00, në të njëjtën kohë kur takohej edhe Bordi i Drejtorëve i ZRrE-së.


Ramadan Ilazi, Koordinator i Aksionit Qytetar FOL ’08 theksoi se qëllimi i tubimit është kundërshtimi i propozimit të KEK-ut për ngritjen e tarifës së energjisë elektrike. ZRrE ka se paku tri arsye qenësore për të mos ngritur tarifat e rrymës:

  1. Peticioni i nënshkruar nga 10529 qytetar të Kosovës kundër ngritjes së tarifës së energjisë elektrike
  2. Rekomandimi për mos ngritje të tarifës së energjisë elektrike nga ana e Komisionit Parlamentar për Energji dhe Komisionit Parlamentar për Peticione.
  3. 38% e qytetareve të Kosovës jetojnë në varfëri përderisa mbi 40% është shkalla e papunësisë në këtë mënyrë ngritja e tarifës është e pakuptimtë dhe e papërballueshme.

ZRrE duhet të ketë parasysh se ngritja e tarifës së energjisë elektrike nuk do ta ndihmoj KEK-un por do ta dëmtoj qytetarin. Përderisa ZRrE po kërkon argumente kundër ngritjes së tarifës së energjisë elektrike i propozojmë të kërkojë argument pro-ngritjes, sepse nuk ka asnjë argument të qëndrueshëm në këtë drejtim përveç asaj që KEK-u nuk arrin të mbuloj koston e prodhimit që nuk është faji i qytetarit për një gjë të tillë. KEK-u  duhet të përmirësoj nivelin e inkasimit dhe të mos kërkoj dënim për ata që paguajnë rrymën.

Vendimi eventual i ZRrE-së për ngritje të tarifës së energjisë elektrike paraqet shkelje të demokracisë dhe vullnetit të qytetareve si dhe shkelje të rekomandimeve të autoritetit kryesor vendimmarrës në vend: Kuvendit të Republikës së Kosovës.   Ngritja e tarifës nuk do të zgjedh asnjë problem thjesht do ta llastoj KEK-un që përsëri vitin tjetër të kërkoj sërish ngritje dhe përsëri qytetarët nuk do të kenë energji elektrike.

Problemi i KEK-ut është brenda vet kësaj ndërmarrje. KEK-u duhet të mbështetet më shumë, të rris kapacitet teknike dhe njerëzore dhe të mbështetet nga Qeveria për të rritur inkasimin e borxheve sidomos nga ndërmarrjet e mëdha afariste.

Tubimi ka zgjatur afër 40 minuta dhe nuk ka pasur asnjë incident gjatë kësaj kohe.  FOL’08 falënderon Policinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e dhënë në ofrimin e sigurisë gjatë mbajtjes së tubimit.

Advertisements
Posted in: Lajme