Reforma e pushtetit lokal dhe zgjedhjet

Posted on December 3, 2009

0


 

 

Prishtinë  3 dhjetor 2009: Lëvizja FOL, Instituti Ballkanik i Politikave si dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, kanë  mbajtur sot tryezën “Reforma e pushtetit lokal dhe zgjedhjet”

Qëllimi i kësaj tryeze ishte nxitja e diskutimit në mes të shoqërisë civile dhe politike për reformat në pushtetin lokal dhe mundësisë së krijimit të më shumë zonave zgjedhore.

Disa nga pyetjet që u shtruan në diskutim ishin:

1.       A duhet të shkojë me tutje reforma e pushtetit lokal duke krijuar bashkitë për qytete si njësi administrative të veçanta?

2.       A duhet të krijohen më shumë zona zgjedhore brenda komunave?

3.       Këto zona a do të duhej të ishin një-anëtarëshe apo shumë-anëtarëshe?

4.       A duhet të hapen listat për kuvende komunale plotësisht ku nuk duhet të votojmë patjetër për bartësin e listës?

5.       A duhet të kemi kuota për përkrahje gjeografike të kandidatëve?

6.       A duhet të instalojmë sistemet preferenciale zgjedhore për të parandaluar tensionimin politik dhe ndasitë? 
 

Citate nga pjesëmarrësit:

 

Ramadan Ilazi drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL deklaroj: “Reforma në pushtetin lokal ka marr hov me krijimin e këtyre pilot-njësive në komuna të cilat sipas Pakos së Ahtisarit parashohin krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, që me ligjin e ri për Qeverisje lokale parashohin kompetenca më të mëdha për komunat. “Ligj për zgjedhjet lokale parasheh dy palë zgjedhje në nivel të komunave: Zgjedhjet për Kuvendet Komunale dhe Zgjedhjet për Kryetar të komunave. Reformat e Pushtetit lokal për bashkimin e njësive administrative të veçanta; hapja e listave të kuvendeve komunale ku nuk votohet bartësi i listës; krijimi u kuotave për përkrahje gjeografike të kandidatëve etj”.  

Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i IPOL, ka prezantoi analizë në lidhje me Reformën e Pushtetit Lokal dhe sistemi i zgjedhje i cili aplikohet në Kosovë. “Reforma e pushteti lokal e cila sapo ka filluar në Kosovë nuk duhet të barazohet me termin e decentralizimit sepse decentralizimi nënkupton më shumë se kaq. Reforma e pushtetit lokal, e cila është dizajnuar nga Ahtisari, parasheh integrimin e pakicës serbe dhe kjo ka dominuar në reformat qeverisëse të pushtetit lokal. Reforma tjera në qeverisjen lokale janë bërë edhe me sistemin e përfaqësimit proporcional dhe përmbushjen e kuotës së 30 përqindëshit të pjesëmarrjes së femrave; pastaj me votimin automatik të bartësit të listës gjatë votës për partinë e caktuar; me ndarjen e vendeve për këshilltarët komunal; me sistemet mazhurative me balotazh etj. 

Arben Gashi, këshilltar i Kryetarit të Prishtinës, deklaroj: “Në qeverisjen lokale të Kosovës janë bërë disa ngatërrime të koncepteve që nga viti 2003 e deri në ditët e sotme ku realisht nuk ka pasur as formë andaj nuk mund të flasim për reformë. Edhe përkundër faktit se është folur për decentralizimin dhe riorganizimin, nuk është bërë ndonjë decentralizim, por vetëm riorganizim me baza multietnike ku qëllim kryesor ishte akomodimi i pakicës serbe në Kosovë, ku përdorimi i këtyre termave nga politikanët kanë ngatërruar popullin”.  
 

Hajrullah Çeku, Kryesuesi i Bordit këshillëdhënës të  Lëvizjes FOL, “Qartësimin e procedurave për largimin e kryetarit të komunës nga posti i tij; qartësimin e procedurave për vendimmarrje; qartësimin e procedurave për shërbimet administrative; qartësimin e kompetencave për kryetarin e komunës; drejtësinë zgjedhore, etj” janë disa rekomandime për reformën e pushtetit lokal. Ajo për të cilën Kosova ka nevojë është që të ngritën kompetencat menaxhuese të komunave”. 
 

Leon Malazogu, analisti deklaroj: “Demokracia e nivelit lokal deri me tani është treguar shumë më e suksesshme se demokracia e nivelit qendror, pasi që listat e hapura në nivelet lokale kanë përmbajtur shumë më pak emra të kandidatëve se listat e nivelit qendror. Në listat e kandidatëve të nivelit lokal ka më pak emra që e bënë procedurën e votimit më të thjeshtësuar, kurse në listat e nivelit qendror ka numër të madh të kandidatëve dhe kjo i ngatërron qytetarët gjatë procesit të votimit”

Posted in: Lajme