28 Shtatori, dita e së drejtës për të ditur – Prokuroria pa adrese

Posted on September 29, 2009

0


photoLëvizja FOL, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut(YIHR) dhe Qendra për Politika dhe Avokim(QPA), kanë mbajtur sot konferencën për media, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur, ku kanë shpallur institucionin më të hapur dhe institucioni më të mbyllur.

Deklaratë për shtyp:

Sot, 28 Shtatori është Ditën ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur. Kjo ditë sot shënohet në vende të ndryshme të botës dhe paraqet një veprim kolektiv të shoqërisë civile për të fuqizuar kërkesat për qasje në informacion zyrtar. Ky është viti i dytë që praktika e shpalljes së institucionit më të hapur edhe atij më të mbyllur që është një karakteristikë e kësaj ditë po bëhet edhe në Kosovë. Lëvizja FOL, Nisma e te Rinjve për te Drejtat e Njeriut(YIHR) dhe Qendra për Politika dhe Avokim(QPA) së bashku kanë identifikuar institucionin më të hapur dhe atë më të mbyllur, praktiken, e cila shënon këtë ditë ndërkombëtare.

Pas një hulumtimi të bërë sa i përket qasjes dhe dhënies së informacioneve zyrtareve gjatë vitit 2009 si dhe bazuar mbi veprimet ose mos veprimet e institucioneve përkatëse, për publikimin dhe mospublikimin e informacionit zyrtar: YIHR, FOL dhe QPA kanë identifikuar;

Policinë e Republikës së Kosovës si institucionin më të hapur
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka qenë një shembull i mirë në dhënien e informacioneve zyrtare për Medie dhe publikun. Kjo zyre ka qenë e gatshme në shumicën e rasteve të përgjigjet në kërkesat e gazetareve dhe në këtë mënyrë ka arritur të krijoj praktika të mira të transparencës dhe komunikimit me publik duke ndërtuar kështu edhe raporte shumë të mira me mediet dhe në këtë mënyrë edhe publikun. Te gjitha raportet qe dërgohen nga kjo zyre publikohen edhe ne ueb sajtin e këtij institucioni, gjë e cila iu ka ndihmuar edhe medieve qe te jene korrekte ne raportimin e ngjarjeve te ndryshme. Shumë prej aksioneve të policisë kanë qentë hapura për tu përcjellur. Zëdhënësit e Policisë se Kosovës janë shpërblyer me çmime te ndryshme nga Shoqata te gazetareve dhe media për transparencën e tyre si zëdhënës te këtij institucioni.

Prokurorinë si institucionin më të mbyllur.
Prokuroria Publike e Kosovës është institucioni më i mbyllur dhe më jo-transparent, ku informacioni nuk jepet dhe në shumicën e rasteve nuk ka konfirmime zyrtare. Në Prokurorinë Publike të Kosovës mungon Zyra për Informim dhe zëdhënësi i këtij institucioni. Prokuroria Publike Kosovës nuk ka ueb sajt ku qytetaret mund te marrin informata për punën e këtij institucion. Në Kosovë, ende nuk kemi ligjin për Prokurorinë.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL: “Autoritet vendore dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar të lejojnë pronësinë e qytetareve ndaj proceseve të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova. Kushtetuta e Republikës si dhe së fundi marrëveshjet e prezencës ndërkombëtare në Kosovë me shtet e rajonit kanë nxjerr në pah nevojën për një komunikim më të mirë me qytetarët dhe shoqërinë civile. E drejta për të ditur është një fondament i shoqëri demokratike dhe çelësi për progres. Ne nuk arritëm dot të gjejmë zyrat e Kryeprokurorit Publik z. Hilmi Zhitia, ky është treguesi i një sistemi buzë greminës dhe fakti se institucionet e vendit marrëdhëniet me publik nuk i marrin seriozisht”

Raba Gjoshi nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut deklaroi: “Qytetaret dhe qytetaret kanë të drejte të dinë se si zyrtaret e institucioneve janë duke ushtruar autoritetin e tyre dhe si po shpenzohen paratë e tatimpaguesve. Kjo e drejte nuk mund te kufizohet nga vet dëshira e disa zyrtareve. Fshehja e informacioneve, informacionet sekrete, ndalimi i qasjes ne dosje dhe kontrata i takojnë të kaluarës”

Shqipe Pantina nga Qendra për Politika dhe Avokim, me këtë rast deklaroi: “E drejta për informim dhe e drejta per qasje ne dokumente publike janë te garantuara me Kushtetutën e Republikës se Kosovës ( neni 41 dhe 42) andaj ne i ftojmë zyrtaret e te gjitha institucioneve publike te ofrojnë informacione te vazhdueshme për punën e tyre si dhe te ofrojnë qasje te papenguar ne dokumente zyrtare”
###

Posted in: Lajme