Letra e përbashkët të Lëvizjes FOL dhe Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), dërguar sot Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi për çështje të lidhura me funksionimin e Sistemit të Drejtësisë në vend.
21 Shtator 2009, Prishtinë
Për: Kryeministrin e Republikës se Kosovës, z. Hashim Thaçi,
Kopje: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Z. Jakup Krasniqi, Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Z. Bahri Hyseni,
Lënda: Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi sa më parë të themeloj institucionet më të larta të drejtësisë, të garantojnë plotësisht pavarësinë e tyre dhe të përshpejtojnë procesin e tranzicionit të tej vonuar në kompletimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale në vend.
I nderuar Z. Kryeministër i Republikës së Kosovës,
Lëvizja FOL dhe Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) kërkojnë nga organi më i lartë ekzekutiv i vendit që sa më shpejtë të zhbllokohet procesi i ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve më të larta të drejtësisë në vend, si dhe te rishikohen dispozitat përfundimtare të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 151, që i referohet Urdhëresës Administrative 2008/02,me tw cilat përcaktohet dhe fuqizohet roli i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Duhet konstatuar që në fillim se Republika e Kosovës ende nuk ka një ombrellë institucionale të vendosur në lidhje me gjyqësinë, Këshillit të kaluar Gjyqësor të Kosovës i ka skaduar mandati për një periudhe relativisht të gjatë ndërsa së voni janë emëruar disa anëtar për një Këshilli të Përkohshëm Gjyqësor. Përveç kësaj, një institucion ombrellë për prokurorinë nuk ekziston fare. Ndër të tjerash, këto probleme janë të lidhura drejt-për-drejtë me mos aprovimin e ligjeve sistemore nga fusha e rregullimit të reformës gjyqësore, këto ligje që nga muaji mars i vitit 2009 ndodhen në zyrën tuaj (Z. Kryeministër) dhe nuk janë vendosur akoma në mbledhjen e Qeverisë për aprovim. Ne shprehim brengën tonë lidhur më faktin që vendi jonë vazhdon të përballet me zbrazëti institucionale dhe ligjore, duke cenuar kështu zbatimin e rendit dhe ligjit në vend. Për më shumë, procesi i ri-emërimit te gjyqtarëve dhe prokurorëve vendor të Republikës së Kosovës padyshim se përbën procesin më të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të gjyqësisë në përgjithësi.
Ne jemi të bindur se të gjithë jemi mirënjohës Bashkimit Evropian dhe Departamentit Shtetëror të SHBA-ve për asistimin financiar në realizimin e këtij projekti, mirëpo, përkundër përkushtimit disa vjeçar që ky proces të vendoset në një sistem institucional të përgjegjësisë dhe transparencës, konsiderojmë se ndër të tjerash, institucionet dhe opinioni publik do të duhej të informohej në veçanti mbi rolin që institucionet ndërkombëtare kanë mbi ri-emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendor. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pjesa e konsiderueshme e përgjegjësive nga fusha e gjyqësisë i takon institucioneve vendore, megjithatë, ne dispozitat përfundimtare të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 151, që i referohet Urdhëresës Administrative 2008/02, përcaktohet dhe fuqizohet roli i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Roli i tij në përputhje me këto dokumente është gjithëpërfshirës, ekzekutiv dhe vendimmarrësi kryesor në këtë proces, së paku për derisa këto akte nuk zëvendësohen me ndonjë akt tjetër. Si pasojë e mos përfundimit të suksesshëm të tranzicionit ligjor dhe institucional në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, lejimit të ekzistimit dhe mos eliminimit të përzierjes së përgjegjësive të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në mes vete dhe ndaj institucioneve vendore, Republika e Kosovës gjegjësisht procesi më i rëndësishëm që lidhet me reformën në gjyqësi administrohet kryekëput nga UNMIK-u, gjegjësisht PSSP-ja.
Si përfundim institucionet e Kosovës kanë pasur mundësi në eliminimin e këtij autoriteti të PSSP-së që buron nga kjo urdhëresë sikur në përputhje me nenin 2.15 të po të kësaj urdhërese të kenë kompletuar infrastrukturën ligjore, ligjin mbi gjykatat, ligjin mbi këshillin gjyqësor, ligjin mbi prokuroritë dhe ligjin mbi këshillin prokurorial. Kjo pako ligjore do të absorbonte këtë autoritet të PSSP-së. Meqë kjo infrastrukturë ligjore dhe institucionale nuk është përgatitur nga qeveria dhe nuk është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, autoriteti i PSSP mbetet ashtu siç përcakton kjo Urdhëresë Administrative, meqë autoriteti i tij nuk është zëvendësuar me ndonjë akt ligjor që do të shfuqizonte ose kufizonte këtë urdhëresë. Ne ju bëjmë thirrje që urgjentisht:
1. Të procedoni në Kuvend Ligjin për mbi gjykatat, Ligjin mbi Këshillin Gjyqësor, Ligjin mbi prokuroritë dhe Ligjin mbi këshillin prokurorial;
2. Të themeloni institucionet më të larta të gjyqësisë për të kompletuar kështu infrastrukturën e nevojshme për të garantuar sundimin e ligjit në vend;
3. Në bazë të përgjegjësive kushtetuese të garantoni plotësisht pavarësinë e tyre dhe të përshpejtoni procesin e tranzicionit të tej vonuar në mënyrë që qytetari por edhe bartësit e pushtetit vendor të ndjejnë ndryshim edhe përmbajtjesor në punë pas shpalljes së pavarësisë së vendit si dhe
4. Të përshpejtoni aktivitetin e qeverisë për të qartësuar mjedisin (konfuzionin) ligjor në mes të institucioneve të Republikës dhe administratës ndërkombëtare në vend.
Sinqerisht,
Ramadan Ilazi, Lëvizja FOL
Ferdinand Nikolla, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)



Posted on September 21, 2009
0